
Ka aktivitete që nuk kërkojnë shumë për t’u organizuar, por ofrojnë gjithçka që na duhet: energji pozitive, mirëqenie dhe ndjesinë e të qënit bashkë. Një prej tyre ishte edhe dalja e fundit me biçikleta e ekipit të Soft & Solution në Liqenin e Tiranës.
Në një mëngjes të freskët pranveror, larg zhurmës së rrugëve dhe ritmit të shpejtë të qytetit, morëm një pauzë ndryshe: një shëtitje me biçikleta në natyrë. Në vend të tastierave, mbajtëm timonin. Në vend të e-mail-eve, ndamë biseda miqësore dhe qeshëm gjatë rrugës.
Ky aktivitet ishte një kujtesë e thjeshtë: sa shumë mund të fitojmë për trupin, mendjen dhe shpirtin duke bërë diçka kaq normale si çiklizmi në natyrë. Ndërsa të gjithë flasim gjithnjë e më shumë për imunitetin, për ambientin dhe për balancën mendore, kjo dalje u bë simbol i një stili jetese më të shëndetshëm dhe më të ndërgjegjshëm.
Ermal Beqiri, themelues i Soft & Solution, e përmblodhi bukur frymën e këtij aktiviteti, vetëm me një shprehje: “Një ekip i shëndetshëm është një ekip i suksesshëm!”
Të kujdesesh për shëndetin tënd nuk ka nevojë për strategji të ndërlikuara. Ndonjëherë, mjafton të vozitësh me biçikletë, të marrësh frymë thellë dhe të kujtosh sa mirë ndihesh kur ndan këto momente me njerëzit e duhur.

